Programi Blue Book i Komisionit Evropian hapet edhe për shtetasit e vendeve kandidate për në BE.

Info
Programi Blue Book i Komisionit Evropian hapet edhe për shtetasit e vendeve kandidate për në BE.

Një zhvillim i rëndësishëm për të rinjtë e Ballkanit Perëndimor është shënuar këtë muaj, pasi Komisioni Evropian ka zgjeruar kriteret e pranueshmërisë për Blue Book Traineeship Programme, duke i hapur dyert e programit edhe për shtetasit e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky ndryshim vjen me miratimin e Vendimit të Komisionit Evropian C(2026)4902, të datës 16 korrik 2026, i cili ndryshon kuadrin ligjor të programit. Deri më tani, e drejta për të aplikuar ishte e kufizuar kryesisht për shtetasit e vendeve anëtare të BE-së. Rregullat e reja parashikojnë që edhe shtetasit e vendeve kandidate që përfitojnë nga strategjia e para-anëtarësimit mund të aplikojnë për këtë program prestigjioz praktike.

Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një procesi zgjerimi më gjithëpërfshirës, duke u krijuar të rinjve nga Ballkani Perëndimor mundësi konkrete për të fituar përvojë profesionale në institucionet e Bashkimit Evropian.

Për shumë kohë, kushtet e pranueshmërisë për programet e praktikës në institucionet e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë të favorshme për shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kufizuar aksesin e tyre në këto mundësi.

Për të adresuar këtë çështje, Young Professionals Network (YPN), në bashkëpunim me Mauro Ruiz Ibiza, student në College of Europe në Tiranë, ndërmori iniciativën e advokimit, përmes peticionit "Investing in Human Capital for Enlargement" që kërkonte hapjen e programeve të praktikës së BE-së edhe për shtetasit e vendeve kandidate.

Nisma u mbështet nga mbi 700 individë dhe 80 organizata, duke reflektuar një kërkesë të gjerë për më shumë mundësi dhe trajtim të barabartë të të rinjve nga rajoni në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ndryshimi i miratuar nga Komisioni Evropian përfaqëson rezultatin e një procesi më të gjerë avokimi, ku kontributi i organizatave, rrjeteve rinore dhe individëve ka ndihmuar që kjo çështje të mbetet pjesë e diskutimit mbi zgjerimin dhe përfshirjen e vendeve kandidate.

Çfarë është Blue Book Traineeship?

Blue Book Traineeship është programi zyrtar i praktikës profesionale i Komisionit Evropian dhe konsiderohet një nga programet më prestigjioze të praktikës në Evropë. Dy herë në vit, ai u jep mundësi të diplomuarve të rinj të punojnë për rreth pesë muaj në Drejtoritë e Përgjithshme të Komisionit Evropian, në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe në institucione të tjera të BE-së.

Programi është i paguar dhe u ofron praktikantëve mundësinë të kontribuojnë në hartimin dhe zbatimin e politikave evropiane, të zhvillojnë aftësi profesionale dhe të krijojnë një rrjet kontaktesh në një mjedis ndërkombëtar. Për shumë të rinj, pjesëmarrja në Blue Book ka shërbyer si një pikënisje për karrierë në institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare.

Regjistrimi për sesionin Mars 2027 është tashmë i hapur.

Kliko në linkun Available traineeship strands - Blue Book Traineeship programme për më shumë informacion dhe për të aplikuar!

Keni kohë deri më 4 shtator 2026.

Ndani artikullin: